Funerali i Alexei Navalny, kundërshtarit të Putinit, i cili vdiq në burg më 16 shkurt, u zhvillua dje, sërish mes tensionesh. Ceremonia e varrimit u zhvillua në Kishën e Ikonës së Zojës në lagjen Maryino të Moskës dhe trupi më pas u dërgua në varrezat Borisovskoye, ku u varros në melodinë e “My Way” nga Frank Sinatra. Trupi i disidentit iu dorëzua familjes më pak se dy orë pas fillimit të varrimit dhe kishte dyshime se autoritetet ruse mund të bllokonin disi ngjarjen. Arkivoli mbërriti në kishë, mes duartrokitjeve të turmës dhe thirrjeve “Navalny, Navalny”. “Ai nuk kishte frikë dhe ne nuk kemi frikë”, bërtitën disa njerëz, duke përsëritur një nga parullat e kundërshtarit të carit. Turma ndoqi gjithashtu arkivolin përgjatë rrugës për në varreza, duke ngritur buqeta me lule në ajër ose duke i hedhur gjatë rrugës.
Mijëra njerëz u mblodhën në vendin ku mbërriti arkivoli i Navalny, të rrethuar nga një numër i madh oficerësh policie. Policia rrethoi perimetrin e kishës dhe patrullat me makina dhe me kuaj kontrolluan turmën që ishte mbledhur për të përkujtuar disidentin, por pa bërë asnjë arrestim. Mes tyre janë edhe Boris Nadezhdin si dhe Ekaterina Duntsova, dy kandidatët “pacifistë” të përjashtuar nga zgjedhjet presidenciale. Disa diplomatë të huaj mbërritën gjithashtu në vend, duke përfshirë ambasadorët e Gjermanisë, Francës, Britanisë, Italisë, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Leonid Volkov, një mik i Navalny, i tha BBC- së se ka “shumë policë sikur do të fillonim një revolucion”. Ai shtoi: “Qëllimi ynë është një lamtumirë paqësore, por duket se autoritetet ruse e konsiderojnë si një trazirë apo diçka tjetër”.