Studiuesi i artit Agim Janina thotë se maska e diktatorit Enver Hoxha është një dëshmi historike. Në fondin e Muzeut Historik Kombëtar ruhet maska mortore e diktatorit Enver Hoxha, e derdhur në allçi kjo maskë mbart tiparet e diktatorit me sy të mbyllur, por si portreti ruhet edhe dora e tij e djathtë. Në intervistën për gazetën “SOT” studiuesi i artit Agim Janina thotë se maska duhet të ruhet, pavarësisht se çfarë ajo jep si pakënaqësi apo edhe urrejtje shumëkujt. Janina thotë se nën drejtimin e Mumtaz Dhramit maska e vdekjes së Enver Hoxhës u derdh nga artistët Muharrem Turkeshi, Agim Zela dhe Dilaver Kamberi ditën e fundit, pasi u mbyllën homazhet dhe pjesëtarët e familjes do shkonin për herë të fundit në takime me të. Studiuesi Janina tregon se kur u nxor pozitivi, u pa se maska nuk kishte pritshmëritë për të cilat u bë. Janina thotë se tiparet kishin humbur dhe nuk pati pëlqime nga familjarët dhe drejtuesit e shtetit, ku sipas tij maska e vdekjes së diktatorit nuk u përdor kur më pas u ngritën pesë monumentet për të, nuk u përdor edhe nga vetë Mumtaz Dhrami si ideatori i nxjerrjes së saj. Për herë të parë për publikun, kjo maskë u nxor nga fondi i MHK-së në 2015-ën në sajë të një ekspozite të artistit Ardian Isufi.
– Jeni studiues arti, por kur ka filluar t’i merret maska e fytyrës njeriut? Pak histori rreth saj?
Rituali i nxjerrjes së maskës së vdekjes vjen që nga lashtësia, maskat e faraonëve (e famshme maska e Faraonit Tutankamon), që shoqëronin mumifikimin, vendoseshin në fytyrën e të vdekurit pas varrimit, duke shpresuar se shpirti më pas do të gjente fytyrën. Vijoi në Greqinë e lashtë (Maska e Agamemnonit, që u gjet në Mikenë nga arkeologu Shliman). Atëbotë ato gdhendeshin prej dylli apo gipsi. Edhe në popujt primitivë përdorimi i maskave ka qenë shumë i përhapur. Ajo ka qenë traditë e shumë popujve, ka vijuar ndër shekuj duke ardhur deri në ditët tona. Duke filluar nga Mesjeta u prodhuan maskat e vërteta vdekjeje, të cilat më pas u vendosën nëpër muze. Deri në shekullin e XVIII janë përdorur shumë për të parë e regjistruar ndryshimet e fizionomisë së njerëzve. Shumë njerëzve të shquar në fusha të ndryshme u është marrë maska e vdekjes. Por shumë prej tyre e kanë nxjerrë maskën e tyre që në gjallje. Përmenden ndërmjet të tjerave maska e vdekjes e Dante Aligierit, Oliver Kromuelli, Volterit, Napoleonit, Njutonit, Nikola Teslas e shumë mbretërve europianë, etj. Në Cetinje të Malit të Zi gjendet maska e vdekjes së Kara Mahmut Bushatlliut. Nga maskë na vjen fjala maskara, domethënë njeri që ke shumë fytyra apo që nuk tregon fytyrën e vërtetë. Të mos harrojmë se edhe simboli i teatrit janë dy maska njëra që qesh dhe tjetra që qan komedia dhe tragjedia, të cilat janë kthyer në simbole botërore. Në lashtësi aktorët dilnin në skenë me maska. Edhe karnavalet nuk kanë kuptim pa maskat. Ka një joshje drejt saj dhe është trajtuar shumë sidomos në letërsi dhe në kinematografi. Në artet pamore ka shembuj të trajtimit të maskës, kujtohet kompozimi i Xhejms Ensor, piktor anglez, ku piktori rrethohet nga një turmë me maska. Lindja e fotografisë e stepi nxjerrjen e saj, por ende ajo vijon si praktikë.
-Kush është qëllimi i marrjes së maskës?
Nxjerrja e maskës shërben për studime shkencore nga antropologët, etnografët, etj, ndërsa artistëve të arteve pamore u shërben si model për ata që nuk rronin, për ta parë fizionominë, për të gjetur saktësinë e profileve dhe i ndihmon ata në nxjerrjen e portretit të personazhit, aq më shumë kur nuk ekzistonte fotografia.
-Në fondin e madh të Muzeut Historik Kombëtar ruhet maska mortore e diktatorit Enver Hoxha e derdhur në allçi, kjo maskë mbart tiparet e diktatorit me sy të mbyllur. Ju çfarë mund të na thoni mbi punën e asaj kohe dhe qëllimi?
Vdekja e Enverit nga shteti u trajtua si gjëma më e madhe pas vdekjes së Skënderbeut. Mungonin vetëm burrat gjamatarë, që të godisnin gjokset e çjerrnin faqet, ndonëse veshja e grave dhe vajzave pa tualet e me të zeza shihej kudo. Por në disa krahina pati edhe vaje dhe dikush ka mbushur kaseta me vajet e qarjet e grave për Enverin. Ditët ishin të përzishme dhe radio e televizioni transmetonin lajme të shkurtra apo emisione kushtuar diktatorit shoqëruar me muzikë funebre. Në fytyrat e njerëzve shfaqej seriozitet, trishtim, pëshpëritje me zë të ulët dhe gjatë ditëve të ceremonisë mortore kortezhet dhe radhët e njerëzve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ishin të pafundme, ndonëse shumë u gëzuan për vdekjen e tij, pa guxuar ta shprehnin këtë hapur. Shumë intelektualë dolën dhe u shprehën në shtyp e në televizion për “humbjen e madhe” dhe nga të gjitha rrethet e vendit turma të pafundme drejtoheshin në selinë e Presidencës, ku ishte vendosur trupi i pajetë i diktatorit. Ishin skena të papërsëritshme të një histerie kolektive dhe një frymë e rëndë mbuloi vendin. Në vendin tonë nuk e kemi pasur as në traditë dhe as në kulturë nxjerrjen e maskës së vdekjes. Për më shumë fytyra ishte pjesa më e çmuar e njeriut, gati e hyjnizuar dhe me kanun ajo nuk duhet të “prishet” duke u goditur e qëlluar me armë dhe kur goditej gabimisht quhej vrasje e dyfishtë. Ndaj dhe kemi shumë shprehje si “iu nxi fytyra”, “je i pafytyrë”, “as skuqesh dhe as nxihesh (në fytyrë)”, “ruaj fytyrën (nderin)”, etj. Skulptori Mumtaz Dhrami është nga të rrallët që Enver Hoxha kishte pranuar t’i pozonte kur kishte qenë me pushime në Drilon të Pogradecit, ku ai shkoi së bashku me piktorin Vilson Kilica pasi bëri kërkesë dhe iu miratua ajo nga diktatori. Duke qenë edhe anëtar i Komitetit Qendror dhe artist i njohur i shkoi mendja për t’i nxjerrë maskën e vdekjes.
Kur vdiq e ëma e Enverit, e thërritën skulptorin Odhise Paskalin dhe i ka bërë maskën e vdekjes. Pra ishte një shembull në familjen e diktatorit, kështu që skulptori mendoi se do ta kishte të lehtë. Por nuk ishte ashtu. Pas bisedave me të shoqen e diktatorit, Nexhmie Hoxhën, e cila kundërshtonte nga frika se mos i prishej fytyra Enverit, u muar miratimi, maska e vdekjes t’i merrej kur të mbaronin homazhet e ditës së fundit. U caktuan artistët që do ta bënin, duke u porositur që të rrinin në shtëpi deri kur t’i thërrisnin. Kaloi një javë dhe trupi me gjithë masat frigoriferike kishte filluar dekompozimin. Ngjyra e fytyrës kishte ndryshuar dhe tiparet dita ditës kishin filluar t’i binin e shuheshin dhe po shpërfytyroheshin, aq sa po iknin tiparet kryesore, ndërsa hunda nuk njihej në profil dhe gjithçka kishte dalë jashtë karakterit. Për ta mbajtur në gjendje të mirë ditë për ditë fytyra e diktatorit përgatitej nga piktorët grimiorë më të mirë të Radiotelevizionit dhe Kinostudios, një grup prej tre vetash, që e lyente me kremra për t’i dhënë një farë freskie. Fytyrës i ishte bërë edhe një tërheqje lëkure nga mjekët për t’i hequr rrudhat, që po thelloheshin nga dekompozimi i trupit. Maska bashkë me dorën e djathtë është nxjerrë nga artistët Muharrem Turkeshi, Agim Zela dhe Dilaver Kamberi ditën e fundit, pasi u mbyllën homazhet dhe pjesëtarët e familjes do shkonin për herë të fundit në takime me të. Artistët kujtonin ankthin dhe frikën që ndjenin në ato ditë pritjeje, deri sa erdhën i morën me makinën famëkeqe “Gaz 69” të Sigurimit. Nga arkivoli u hoqën kurorat e shumta dhe nën masa tejet të rrepta dhe në praninë e agjentëve të Sigurimit të Shtetit dhe të Gardës së Republikës ekipi i formatorëve, i drejtuar nga skulptori Mumtaz Dhrami filloi nga puna. U përgatitën solucionet, u lye fytyra dhe më pas mbi të u hodh allçia e lëngshme. Ishin çaste frike dhe ankthi.
Skulptori kujton ankthin e madh e tensionin e madh që e kaploi, se në një çast mendoi se nuk po dilte allçia, por mjeshtrat ia dolën mbanë ta realizonin nxjerrjen e saj. Askush nuk kishte guxuar vetë t’i afrohej në gjallje diktatorit e jo më t’i hidhte në fytyrë allçi. Gjithë jetën ai ishte treguar i kujdesshëm në daljet publike dhe më shumë në fotografitë. Nuk mund ta pikturonte çdokush dhe kurdoherë kishte një maskë të qeshur të kuruar me kujdesin më të madh. Ndërsa tashmë ishte i shtrirë përdhe dhe mbi fytyrë i hidhej allçi. Skenë gati sureale. Kur formatorët pasi përgatitën me kujdes allçinë dhe ia hodhën në fytyrë Enverit, oficerët e Sigurimit të Shtetit i panë të çmeritur fytyrën t’i mbulohej dhe të humbte nën allçinë e lëngët. Frika ishte, se mos allçia ngjitej dhe kur ta hiqnin formën ajo të merrte me vete edhe lëkurën e fytyrës. Kur u nxuar pozitivi, u pa se maska nuk kishte pritshmëritë për të cilat u bë. Tiparet kishin humbur, hunda ishte shtypur dhe nuk pati pëlqime nga familjarët dhe drejtuesit e shtetit. Maska e vdekjes së Enverit nuk u përdor kur më pas u ngritën pesë monumentet për të. Nuk u përdor edhe nga vetë Mumtaz Dhrami si ideatori i nxjerrjes së saj.
– Për herë të parë për publikun, kjo maskë u nxorr nga fondi në 2015-ën në saj të një ekspozite të artistit Ardian Isufi. Si studiues arti çfarë mund të na thoni më shumë për punën e artistit, çfarë patë tek instalacioni i tij “Antihomazh”?
Drejtpërdrejt maskën e Enverit e ka trajtuar si instalacion piktori Ardian Isufi, instalacion në hollin e Muzeut Historik. Autori është shprehur edhe për qëllimin e ekspozimit, si “një artefakt shumë interesant për t’u shfaqur për herë të parë për publikun në forma instalacioni artistik…. një kontribut për publikun në një qasje të re konceptuale të marrëdhënies që do të ketë çdo individ, duke u përballur me diktatorin (maskën e tij) dhe si shkak-pasojë edhe me historinë e diktaturës. Publiku përmbyll instalacionin që rrugëton fillimisht në një “tunel izolimi” dhe në fund të tij qëndron për pak çaste përballë Enver Hoxhës, duke krijuar pikëtakimi imagjinar me kohën ne rivendosim në gjykim eksperiencën tonë përballë izolimit totalitar. Ky kontakt me maskën-portret na shtyn në një kontakt me maskën-portret në një kontakt psikologjik, ku mimika apo xhestikulacioni emocional i portretit të çdo vizitori do të përshfaqet si antihomazh me historinë tonë të diktaturës dhe për këtë arsye rruga e kontaktit përballë kësaj maske vdekjeje do të jetë nëpërmjet një “tuneli mental” që është instaluar si labirinth i përroit psikologjik…”. Vepra nxiti një interes të madh dhe u vizitua nga shumë njerëz. Secili qëndronte para maskës disa çaste dhe përftonte emocione vetjake të ndryshme. Shndërrimi i një objekti për t’i dhënë një ide krejt tjetër nga ajo çfarë ka qenë në të vërtetë është përdorur shpesh në art. Ne përdorim shprehjen “Ti çjerrim maskën”. Isufi ia doli mbanë të bëjë një gjetje, jo thjesht për të rinxjerrë maskën nga arkat e arshivës së Muzeut Historik, por për ta shndërruar në një instalacion artistik, ku secili prej shikuesve të provonte një ndjenjë vetjake nga figura e diktatorit dhe ia doli mbanë ta realizonte me sukses.
– Tek ne kujt i është marrë maska e vdekjes veç diktatorit Enver Hoxha?
Është nxjerrë maka e vdekjes e poetit Gjergj Fishta. Flitet edhe për maskën e vdekjes së Avni Rustemit, të Migjenit apo edhe të Mitrush Kutelit, por duhen gjetur dhe ekspozuar. Është shkruar se janë edhe maskat e vdekjes së ish drejtuesve të lartë të regjimit të kaluar, të Alqi Kondit, Gogo Nushit, Hysni Kapos, por nuk janë parë askund. Mendoj se maska e vdekjes së Enverit është një dëshmi historike dhe duhet të ruhet, pavarësisht se çfarë ajo jep si mospëlqim, pakënaqësi apo edhe urrejtje shumëkujt.
Intervistoi: Julia Vrapi