Veprat e kompozitorëve botërorë janë pjesë e koncerteve, që do të zhvillohen gjatë muajit mars në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Pjesë e kalendarit artistik këtë muaj është dhe vepra “Carmina Burana”. Por nuk do të mungojnë në skenë këtë muaj dhe artistët e Ansamblit Popullor me një koncert. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka publikuar programin e këtij muaji, por fundjava e parë e marsit e gjen me “Il Trittico” nga kompozitori italian Giacomo Puccini. Programi më 9 mars në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit sjell një koncert instrumentalo-simfonik. “Shostakovich Celebration” është një koncert i veçantë me muzikën e një prej kompozitorëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Dmitri Shostakovich. Në data 15 dhe 16 mars do të jetë në skenë “Carmina Burana” e kompozitorit Carl Orff. Një vit më parë në skenë kjo vepër erdhi si opera, si një bashkëpunim mes trupës artistike të TKOB-së dhe Filharmonisë së Kosovës, me Orkestrën Simfonike e Korin e TKOB-së, si dhe Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, Konservatorin Shtetëror të Salernos “Giuseppe Martucci”. Por këtë vit gjatë marsit do të vijë si balet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, me lutjen e famshme “O Fortuna”, përgjatë dy netëve. Pjesë e programit artistik këtë muaj është dhe Ansambli Popullor, që do të vijë me premierën “Lulet e pranverës” më datë 20 mars në skenë. Një koncert me Kastriot Tushën dhe Aranit Hoxhën, me krijimtari muzikore nga të gjitha trevat mbarëshqiptare.
Koncerti “Fat i Paepur” në skenë
Programi artistik i muajit mars në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit përmbyllet me muzikën e Tchaikovsky-t dhe Beethoven, që do vijnë në koncertin simfonik “Fat i Paepur”. Koncerti instrumentalo-simfonik do të zhvillohet në datën 23 mars për publikun. Pyotr Ilyich Tchaikovsky (7 maj 1840- 6 nëntor 1893) ishte kompozitor i madh rus i periudhës romantike, dirigjent dhe pedagog. Muzika e tij njihet dhe pëlqehet për karakterin e theksuar rus, për harmoninë e pasur dhe meloditë energjike. Veprat e tij kanë një frymëzim më perëndimor se bashkëkohësit e tij, ato mishërojnë elemente ndërkombëtare të gërshetuara me meloditë popullore kombëtare. Çajkovski jetoi dhe krijoi në të njëjtën periudhë kur jetuan dhe krijuan veprat e tyre “Grupi i të pestëve”, por orientimi ideo-estetik i këtij kompozitori dallohet nga programi ideor i “Grupit të fuqishëm”. Ludwig van Beethoven (dhjetor 1770- 26 mars 1827, Vjenë Austri) ishte kompozitor i Epokës Klasike Gjermane. Ne vitet e fundit të jetës së tij ai filloi të studionte veprat e Bach dhe Handel-it si dhe shkroi Simfoninë e tij të Nëntë, ndoshta veprën më të mirë të tij. Veprat e tij më të njohura janë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë.