Komiteti shkencor për organizimin e Panairit III mbarëkombëtar të librit akademik e shkencor, që do të mbahet më 23-25 prill këtë vit zhvilloi mbledhjen e parë. Mbledhja y zhvillua në Akademinë e Shkencave nën drejtimin e zëvendëskryetarit të këtij institucioni, akad. Vasil S. Tole. Panairi mbahet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë sëbashku me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. ASH shprehet se akad. Tole ndau detyrat për organizimin e panairit. “Kujtojmë se dy edicionet e mëhershme (i pari në Tiranë në vitin 2022 dhe i dyti në Prishtinë në vitin 2023), provuan se kjo nismë është në shërbim të promovimit të botimeve akademike dhe shkencore dhe lehtësimit të rrugës së vështirë të librit akademik dhe shkencor për të mbërritur te lexuesi.
Panairi synon që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në të gjithë hapësirën shqiptare. Si i tillë, panairi synon një prani përfaqësuese sa më të gjerë, duke bërë bashkë autorët, botimet, institucionet e kërkimit dhe IAL-të që merren me librin akademik e shkencor dhe lexuesin e tyre”, thuhet nga Akademia e Shkencave. Më tej ASH vijon se si promovues dhe manifestues, panairi ofron pjesëmarrje të hapur, duke mundësuar pranëvendosje në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga gjithë hapësira shqiptare. Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor u zhvillua në prill të vitit 2022 për herë të parë, si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.