Për herë të parë kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur dje akuzave të bëra nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, i cili nga arratia, zhveshi veten nga faji dhe drejtoi gishtin nga numrin 1 i qeverisë dhe kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliajn për aferën e inceneratorit të Tiranës. Madje Ahmetaj shkoi deri atje sa zbuloi pak ditë më parë se ishte kërcënuar nga kryeministri Rama. Por për këto akuza ka folur dje Rama, i cili gjatë një prononcimi për mediat në fund të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS, mbajtur sot (11 shkurt 2024) Rama tha se kush ka probleme me drejtësinë duhet të përballet vetë me të. “Ka një karakteristikë të përgjithshme të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë, që ndihen viktima të forcave të errëta apo të forcave të tjera, por nuk është fare për mua dhe për ne ta shpjegojmë këtë fenomen. Kush ka probleme me drejtësinë t’i zgjidhi me drejtësinë. Nuk bën përjashtim askush për asnjë arsye. Unë kam qenë shumë serioz që ditën e parë kur kam thënë: duam një reformë në drejtësi për t’i hapur rrugën më në fund në një Shqipëri ku s’ka pasur kurrë drejtësi, një drejtësie që është jashtë influencës së pushtetit ekzekutiv dhe këtë ne e kemi arritur sot por është një arritje që nuk është e pakthyeshme prandaj ne do të vazhdojmë të qeverisim që këtë arritje ta bëjmë të pakthyeshme duke qene ne ata që e garantojmë drejtësinë, që është e lirë të veprojë, i ka duart e lira të veprojë mbi këdo dhe për çfarëdo arsye që drejtësia beson se X, Y, Z, të majtë, të djathtë, të qendrës, nën apo mbi, anash apo mbrapa duhet të përgjigjen përpara drejtësisë. Dinë shumë mirë ti ndajnë broçkullat nga thelbi”, deklaroi Rama.
Vizita e Blinken
Ndërkohë kryeministri Edi Rama e konsideroi dje domethënëse vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken në Tiranë, nisur nga situata në të cilën ndodhet sot Evropa. Kreu i qeverisë theksoi se sot Shqipëria është forca e shembullit për të ndërtuar paqen dhe rrugët e bashkëpunimit në një ardhme të përbashkët. “Në radhë të parë besoj që ka domethënie të veçantë ardhja në Tiranë për kontekstin në të cilin ndodhet sot Evropa dhe bota për kohën shumë të ngarkuar për një sekretar shteti që fakti që gjen të nevojshme dhe vendos agjendën të ndalet në kryeqytetin shqiptar si pikë referimi për rajonin për ku e kemi ngritur në arenë ndërkombëtare dhe çfarë përfaqëson Shqipëria sot, Shqipëria është forca e shembullit për të ndërtuar paqen, rrugët e bashkëpunimit një ardhme të përbashkët e kaluar e mbushur me tragjedi me prapambetje raste të humbura për t’i lënë një vend më të mirë gjeneratat”, nënvizoi Rama pas mbledhjes së Asamblesë së PS.
Çfarë deklaroi Ahmetaj?
Kujtojmë se pak ditë më parë në intervistën për “Çim Peka LIVE”, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, foli për përplasjen me Edi Ramën në mbledhjen e kryesisë. Ahmetaj tregoi edhe kërcënimin që kishte bërë Edi Rama, duke u shprehur në mbledhjen e kryesisë së kush do të prishë unitetin e partisë do të shkojë në të s’ëmës. Po ashtu, gjatë intervistës së pak ditëve më parë Ahmetaj theksoi më tej se Rama po tentonte ta bënte kokë turku për të fshehur të vërtetat sipas tij “të llahtarshme” që fshihen pas inceneratorit të Tiranës. “Besoj se me ndonjë batutë do t’ju përgjigjet kryeministri, ndonjëherë kur ta pyesni, do t’ju bëjë batutën e radhës të dardhave, mollëve dhe pjeshkave që vërtiten aty. Dhe në mbledhje të kryesisë tha, u kërkoj ndjesë shqiptarëve, nënave dhe motrave, por edhe të gjithë qytetarëve, ka përdorur shprehjen; do të shkojë në të s’ëmës ai që prish unitetin e partisë. Kërcënimi i parë. Njerëzit që më njohin, shpesh e dinë se jam edhe impulsiv. Kam qenë në dilemë të madhe, por që në 24 atë ditë vendosa të mos flisja. Mendova që mosha ime, gati 55 vjeç nuk duhet të jetë më impulsiv dhe besoj se kam bërë mirë se do të kisha thënë gjëra që në qetësi të plotë nuk do t’ja falja vetes për humbje etike. Unë do të veja në të s’ëmës dhe ky do të më çonte mua në të s’ëmës. Le të bëjë dhe të qeverisë me batuta sa të dojë.
Në vazhdim, siç ju thashë që unë nuk isha pjesë e dosjes Elbasan dhe Fier, dhe u sajua pjesa e mercenarit. I është dhënë dosja e mercenarit te Sofra e Ariut. Atë dosje ndoshta dikur, ndoshta, e ka pasur, nuk i bie në qafë, Mireli. Mireli ja ka dhënë Blushit. Blushi ja ka dhënë Ramës. Ramës i ka humbur dhe e ka gjetur, Adriatik Doçi, mercenari. Lidhje shumë interesante. Pyeti, tani drejtorin e ujësjellësin e Tiranës që është sot, Kacidhja, çfarë e lidh me Adriatik Doçin, dreka dhe darka. Mos ndoshta përgatitje për goditjen ndaj prokurorëve. Çfarë e lidh dreka dhe darka para dy javësh. Çfarë e lidh ujësjellësin e Tiranës, me Adriatik Doçin. Apo ajo që e lidh Doçin me oligarkët tek resorti i Rolling Hills. Çfarë e lidh. Nuk është për t’u diskutuar nga unë, se është përdorur si instrument i paguar.
Dhe menjëherë filloi Top Channel. Top Channel e filloi goditjen gjatë periudhës që kishte gjyqin në Gjykatën e Lartë për pronësinë. Kjo është një kapitull tjetër që ndoshta do të takohemi sërish dhe do të flasim. E mbajti tre muaj. Vuri reklamë në Big Brother. Fëmija im i madh ka kaluar një periudhë shumë të gjatë në depresion. U llahtaris me 20 shoqe kur e pa. Cili ishte korrupsioni im? Tre muaj nuk ka mbajtur luftën e Kosovës, ai televizion, luftën e Ukrainës, më mbajti mua. Në njërën anë më thoshin, shiko se ai ka qenë armiku jonë. Unë historikisht kam qenë mik i ish-pronarit. Madje periudhën që fatkeqësisht humbi jetën, në 2007, po diskutonim të hynim bashkë në biznes, kur unë isha jashtë politikës. Pra nuk kam qenë ndonjëherë armik i TCH”, deklaroi Ahmetaj.