Partia Socialiste duket se është përfshirë nga sherret. Edhe pse duket se situata brenda PS është disi me e qetë krahasuar me opozitën dhe veçanërisht Partinë Demokratike që është ndarë në disa fraksione, dje janë dhënë sinjalet e para se asgjë nuk po shkon vaj”. Kryeministri Edi Rama ka mbledhur dje Asamblenë e Partisë Socialiste, teksa mësohet se ka shpërthyer në sulme e akuza ndaj Veliajt, Xhaçkës, deputetëve, kryebashkiakëve dhe ish-ministrave, madje ka paralajmëruar shkarkime masive dhe spastrim të partisë nga humbësit.
“Shuplaka” për Veliajn
Kështu kryeministri Rama e ka nisur me kritika mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste që zgjati mbi5 0rë, ndërkohë që target fillimisht ishte kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Mësohet se këtij të fundit, Rama i ka kërkuar emrat e anëtarëve dhe drejtuesve të degëve që nuk kanë punuar aq sa duhet, teksa thekson se do të marrë masa ndaj tyre. Madje Rama shtoi se nuk përjashtohet mundësia e lëvizjes së tyre nga pozicionet që kanë në degët e PS. Bëhet me dije se kryeministri ka pasur rezerva edhe për Kavajën, duke u nisur nga fakti që kanë humbur zgjedhjet e 14 majit dhe referuar një raporti kritik që ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, e ngarkuar me mbikëqyrjen e Rrogozhinës dhe Kavajës ka bërë për mbarëvajtjen e punës dhe mosfunksionimin e organizatës në këto qytete. Kështu që mësohet se brenda mbledhjes, ka treguar se menjëherë pas vërejtjeve të ministres së shëndetësisë, e cila dyshohet se nuk ka folur me kokën e saj, e ka rimarrë fjalën kryeministri që ka goditur Etien Xhafajn. Sikur të mos mjaftonte kjo, Rama i është drejtuar Veliajt me fjalët: “Ç’janë këto mbledhje kot që bën, je bërë si OJF”, duke iu referuar organizimit të keq të punës. Ashtu sikurse dihet Kavaja dhe Rrogozhina janë dy nga zonat që PS doli me keq në zgjedhjet fundit lokale.
Por kjo batutë ndaj lali Erit, vjen në momentin e tij më të keq në karrierën e tij politike, kur delfinit të Ramës ia kanë bërë benë shumë nga figurat e larta të PS, përfshirë edhe zv/kryeministren Balluku. Të bindur se pushteti i tij i pa matë financiar dhe politik mund të tronditet nga hetimi i abuzimeve skandaloze të inceneratorit të Tiranës që e nxjerrin Veliajn gjithnjë e më shumë përgjegjës për paratë e avulluara, një pjesë e mirë e elefantëve socialistë kanë vënë bast për perëndimin e yllit të kryebashkiakut dhe shenjë negative e Ramës kundër tij interpretohet si një shenjë se Rama po e shet atë për llogari të SPAK-ut, ashtu sikurse bëri me Ahmetajn, Bllakon apo Kokën. Një burim i dytë brenda mbledhjes i relativizoi pak këto fakte. Me një SMS nga brenda mbledhjes ai konsideroi debatet si ‘burokraci të rëndomta partie” pa ndonjë simbolikë në zhvendosjen e ekuilibrave politikë. Pra është ende shpejt që të arrihet në konkluzione për një ndryshim kursi brenda binomit Rama-Veliaj, aq më tepër që dihet se shpesh kryeministri argëtohet duke e zhvlerësuar kryebashkiakun në publik, duke i thënë të lyejë shkallët apo të kapi lopën e fshatarit, por më pas nuk e zhvesh atë nga pushteti i madh që i ka dhuruar.
Thumbat për Xhaçkën
Më tej mësohet se kreu i qeverisë shprehur rezerva dhe për performancën dhe angazhimet e socialistëve të cilët nuk kanë qenë aktivë, pasi kanë lënë postin e ministrive. Si shembull ka sjellë rastin e ish-ministres Olta Xhaçka, të cilës po i mban peng mandatin, duke theksuar se nuk ka asnjë postim në rrjetet e saj sociale. “Që kur ka ikur nga qeveria, ka harrur të futet edhe në Facebook”, ka thënë Rama. Po ashtu, raportohet se kryeministri ka kërkuar që në struktura të PS të futen emra të rinj, të cilët nuk janë të lakuar në asnjë aferë korruptive, duke mos rrezikuar imazhin e kësaj force politike.
Mblidhet Asambleja e PS, Rama: E nevojshme hapja e partisë
Më herët para se të niste mbledhja, Rama mohoi të ketë ndryshme të reja, por theksoi se do të ketë një riorganizim dhe lëvizje në funksion të së mirës së punës. “Për t’iu thënë që është mbledhje pune, raportimesh lidhur me hapat e tjerë që do të ndiqen në funksion të objektivit për ta bërë gati PS për fitoren e radhës. PS është në një proces të rëndësishëm dhe jemi shumë të vetëdijshëm që është më e nevojshme se asnjëherë më parë një hapje e madhe e partisë dhe një përfshirje sa më të gjerë për të gjithë ata që kanë dëshirën dhe nevojën e brendshme që të kontribuojnë. Nuk kemi sot asnjë plan për të bërë ndryshime. Jemi mbledhur këtu për të bërë një analizë dhe për të ndërmarrë veprime të tjera. Fjala ndëshkim nuk i shkon organizmit të një familje politike, riorganizimin edhe lëvizje në funksion të bërjes sa më mirë të punës”, deklaroi Rama para mediave.
Detajet
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të shkojë me atlete në mbledhjen me dyer të mbyllura që u mbajt në një lokal në periferi të Tiranës. Nuk kanë munguar as ish-kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, apo Namik Dokle të cilët, kanë vite që janë shkëputur nga jeta politike. Të pranishëm kanë qenë dhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame. Ndërkohë Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste pas takimit të djeshëm do të mblidhet sërish më 16 mars në Durrës. Datën e bëri me dije kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste me dyer të mbyllura në Tiranë. Nga ana tjetër, në përfundim të mbledhjes së Asamblesë së PS, kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje për çfarë është diskutuar. “Kemi bërë mbledhje me diskutime të shumta me shumë anëtarë. Ka qenë një mbledhje pune dhe në një mbledhje pune ka ballafaqime me fakte dhe opinione të mbledhura në një proces shumë kapilar. Ka shqetësime që vijnë nga organizata të ndryshme. Ka pasur qasje vetëkritike nga të gjithë se bashku duke filluar nga unë. Mos i besoni shumë mënyrës si rrjedhin gjërat se duhen verifikuar në burim”, u shpreh dje Rama para gazetarëve.