
"U shtanga dhe mendova se do kriste pushka", Kreshnik Spahiu tregon ngjarjen më të hidhur në politikë dhe bën parashikimin e bujshëm për Lulzim Bashën

Studiuesit: Gjuha shqipe objekt i ndotjes së fjalëve të huaja, duhen ndërhyrje ligjore

Shkruar nga Julia Vrapi 22 Shkurt 2020

Në “Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare” studiuesit kërkuan mbrojtjen e gjuhës shqipe. Sipas tyre, gjuha shqipe të mbrohet me ligj dhe të ketë penalitete për shkeljet. Sipas studiuesve, problem për gjuhën shqipe është vërshimi pa kriter i fjalëve të huaja. Në “Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare”, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi simpoziumin “Lëvizjet për gjuhë”, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe profesorëve të letërsisë e gjuhës. Botues, por me veprimtari në fushën studimore, Rexhep Hida pohon se fjalët e huaja të panevojshme po ndotin gjuhën shqipe. “Gjuha shqipe është bërë objekt i ndotjes nga fjalët e huaja. Fjalë të huaja të panevojshme janë sulur dhe po përfaqësohen nga politikanë, gazetarë, etj, po fitojnë që të rrinë pa qenë e nevojshme. Në këtë kontekst, një rol ka gjithë shoqëria dhe institucionet. Rolin kryesor e ka shteti, që duhet të nxjerrë një ligj që të mbrojë gjuhën, dhe të ketë penalitete”, u shpreh studiuesi Hida në fjalën e tij. Duke sjellë disa shembuj të përdorimit të fjalëve të huaja, studiuesi Rexhep Hida tha se vërehet një deformim në sintaksën e gjuhës shqipe. “Unë nuk them të mohojmë gjithçka, por aty ku është e panevojshme nuk ka pse të ndotet me fjalë të huaja. Thonë po e preklamoj këtë problem, kur duhet po e shpall këtë çështje. Së pari, mbrojtja e gjuhës nga ndotja në kuptimin leksikologjik, por shqetësim tjetër ka të bëjë me ndërtimin e fjalive. Vërehet një deformim, një shtrembërim i strukturës së gjuhës shqipe. Mendoj se botuesit janë në krye të mbrojtjes së gjuhës shqipe, sepse kanë ruajtur në botimet dhe përkthimet e tyre një gjuhë shumë të pastër Ne nuk kemi një ligj sot për gjuhën shqipe. Me sa di Akademia e Shkencave së bashku me Institutin e Gjuhësisë po përpunojnë një ligj të gjuhës shqipe, i cili më pas do të kalojë në parlament”, pohon Hida. I pranishëm në simpoziumin, që u zhvillua dje në Muzeun Historik Kombëtar, studiuesi Behar Gjoka tha se gjuha shqipe duhet mbrojtur si sistem. “Shteti duhet ta marrë në mbrojtje gjuhën shqipe si sistem, që nuk përjashton standardin, por as dialektet kurrsesi, sepse këtu është një situatë absurde, se duket sikur gjuha e standardit ka shpik gjuhët e tjera, por jo. Është gjuha e folur, është gjuha e letërsisë, që ka krijuar gjuhën me të cilën ne komunikojmë, shkruajmë. Mendoj që në qeveri, gazeta, shkolla, etj, le të komunikohet me standard. Por gjuha e letërsisë nuk standardizohet, sepse është gjuha e autorit. Gjuha e letërsisë dhe autorit nuk ka standard, nuk e ndryshon dot, është unik”, u shpreh studiuesi.
Aktiviteti i parë i QKLL
Ky ishte aktiviteti i parë i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), institucioni më ri në varësi të Ministrisë së Kulturës, dhe u realizua me mbështetjen e Muzeut Historik Kombëtar. Znj. Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL, në hapje të këtij simpoziumi tha se gjuha mund të cilësohet dhe vetë kombi. "21 shkurti është dita kombëtare e gjuhës amtare. Gjuha është pjesa më e qënësishme e identitetit të një kombi dhe madje mund të cilësohet si vetë kombi. Më vjen mirë, që në vendet fqinje ka aktivitete të tilla për gjuhën tonë unike shqipe", tha drejtoresha Bardhyli. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, tha se askush nuk mund të mohojë nga studiuesit seriozë të gjuhës dhe kulturës shqipe se epoka e pas vendosjes së standardit është periudha më e pasur në krijimtarinë artistike të shqiptarëve, dhe përpos kësaj standardi ka vepruar si enë komunikuese e suksesshme midis të gjitha komuniteteve shqipfolëse në rajon. Po kështu sipas tij, është pranuar gjerësisht nga të gjithë gjuhëtarët se dialektet janë një pasuri në gjuhë, të cilat bëjnë të mundur që të përsosen më tej format shprehëse të komunikimit. “Ne sot ndihemi mirë kur lexojmë veprën e Kadaresë në standard po aq dhe të pasuruar në shprehi kur lexojmë Camaj”, tha ai. 21 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, që kremtohet në të gjitha vendet e botës. Qëllimi i caktimit nga UNESCO-ja të kësaj dite si dita e gjuhës amtare ka qenë vlerësimi i gjuhës si mjeti më i rëndësishëm për ruajtjen dhe trashëgimin e kulturës së çdo populli dhe i nevojës për të nxitur lëvrimin e gjuhëve amtare të popujve dhe të etnive dhe të popujve të botës, të cilat janë pjesë e thesarit kulturor të njerëzimit.
Më të lexuarat


Teatri Kombëtar aktivitet artistik on line me “Nostalgjinë e teatrit”, “The show must go on” dhe shfaqje që janë vënë më parë

Bertrand Shijaku: Piktorët në gjendje mbijetese, mungojnë studiot dhe mbështetja financiare, GKA të jetë e hapur për artistët

Baleti “Giselle” u realizua në skenë në nder të mjeshtrit Agron Aliaj

Libri “Joe Biden- ëndërrimtari amerikan”, për lexuesit nga shtëpia botuese “Morava”

Margariti: Xhamia e Et’hem Beut, nga restaurimi kanë ridalë në pah vlerat

Elma Doresi: Drama shqipe edhe pas kaq vitesh mbetet tek dera në pritje

TOB: “Carmen” në 2018, shfaqja me shitjen më të madhe të biletave në 10 vite

Vepra “Udhëtim i gjatë drejt natës”, në aktivitetin online të Teatrit Kombëtar mbrëmjen e së shtunës

Margariti: Falë projektit të ndriçimit, Kalaja e Argjirosë si kurrë më parë

Artistët: Ministria e Kulturës vëmendje te arti cilësor jo ai amator, të vlerësojë projektet që janë në politikat e saj
